Nafta nën presion – Investitorët presin vendimin e Trump për Iranin
Tregu i naftës vijon të jetë në tension dhe paqendrueshmëri, për shkak të thellimit të rreziqeve gjeopolitike, që burojnë nga mundësitë e rikthimit të sanksioneve ndaj Iranit, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 68.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 73.6 dollarëve për fuçi.
Ministri i Jashtëm i Iranit deklaroi se, kërkesa e SHBA për të ndryshuar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me fuqitë e mëdha është e papranueshme, ndërsa po afron edhe data 12 maj, që është afati i fundit për presidentin Donald Trump për të vendosur nëse do të rikthejë ose jo sanksionet ndaj Teheranit zyrtar.
Analistët shprehen se, gjendja aktuale e tregut reflekton paqartësitë që kanë të bëjnë me Iranin.
Në anën tjetër, vendet europiane kërkojnë një plan për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore me këtë vend dhe njëkohësisht kanë filluar punën për të mbrojtur lidhjet e bizneseve BE-Iran.
Për këtë arsye, tregjet e naftës pritet të jenë nën presion deri në datën 12 maj. Në janar të vitit 2016, Irani ju rikthye rolit si një eksportues i rëndësishëm i OPEC, pasi u hoqën sanksionet ndërkombëtare. Në anën tjetër, çmimet po gjenden nën presion, për shkak të rritjes së prodhimit në SHBA.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.