Nafta rritet lehtë – Kina dhe SHBA angazhohen për të shmangur luftën tregtare
Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje në sesionin e sotëm, për shkak të lajmeve se Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqen të shmangin një luftë tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 78.8 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 71.6 dollarëve për fuçi.
Delegacionet ekonomike të dy ekonomive më të mëdha në botë ranë dakord të heqin kërcënimet për vendosjen e tarifave, ndërkohë që do të vijojë puna për një marrëveshje të gjerë për tregtinë. Komentet u bënë nga Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, duke mbështetur njëkohësisht edhe tregjet e aksioneve. Sipas analistëve, angazhimi i SHBA dhe Kinës për të shmangur një luftë tregtare është një zhvillim pozitiv për tregun e naftës.
Gjithsesi, rritja e çmimeve është e përmbajtur, pasi shumë tregtarë dhe analistë shprehen se furnizimi i tregut është i mjaftueshëm për të plotësuar kërkesën, pavarësisht marrëveshjes së OPEC, Rusisë dhe disa vendeve të tjera për të ulur prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë. Shefi ekzekutiv i BP, Bob Dudley, deklaroi për Reuters se rritja e prodhimit në SHBA dhe një rritje e mundshme e prodhimit nga OPEC mund të rrëzojë çmimet.
Dudley tha se, çmimet mund të bien në intervalin nga 50 deri në 65 dollarë për fuçi, kryesisht për shkak të rritjes së prodhimit të naftës argjilore në SHBA. Referuar të dhënave, numri i puseve aktive në Amerikë, qendroi në 844 njësi, gjatë javës së kaluar, një nivel i pandryshuar krahasuar me javën paraardhëse.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.