Nafta zgjeron humbjet – Ndikohet nga rritja e rezervave në SHBA dhe nga varianti Delta

Nafta po qëndron në rënie të konsiderueshme në sesionin e sotëm, duke publikuar humbje për të gjashtën ditë me radhë, dhe po tregtohet në nivelin më të ulët në 3 muajt e fundit. Shqetësimet se rritja e infektimeve me Covid-19 në të gjithë botën do të dëmtojë kërkesën për naftë po ushtron presion mbi çmimet.
Gjithashtu, edhe rritja surprizë e rezervave të benzinës në SHBA ka bërë që çmimet të humbin mbi 3% të vlerës në sesionin e sotëm. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 66 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 63 dollarë për fuçi.
Të dy bençmarkët ranë me rreth 1.5% në sesionin e kaluar, ndërsa gjatë 6 sesioneve të fundit kanë rënë me mbi 5%. Investitorët janë të shqetësuar për rritjen e infektimeve me variantin Delta të koronavirusit në të gjithë botën, që mund të dëmtojë kërkesën për naftë. Rritja më e ngadaltë në Kinë si pasojë e vendosjes së kufizimeve, në përgjigje të rritjes së infektimeve me Covid-19 dhe të dhënat e dobëta në SHBA, kanë ndikuar në rënien e çmimeve gjatë ditëve të fundit.
Ndërkohë, referuar të dhënave në SHBA, rezervat e naftës bruto ranë me 3.2 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, në totalin e e 435.5 milionë fuçive, niveli më i ulët që nga janari i vitit 2020. Por, rezervat e benzinës u rritën me 696,000 fuçi, kundrejt parashikimeve të analistëve për një rënie me 1.7 milionë fuçi.
Në anën tjetër, procesverbali i takimit të fundit të Rezervës Federale tregoi se zyrtarët shprehën shqetësimin se përhapja e variantit Delta të koronavirusit mund të vonojë rihapjen e plotë të ekonomisë dhe do të kufizojë tregun e punës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.