Ndërmarrjet rrisin shitjet me 4.4% – Shkëlqejnë tregtia dhe ndërtimi. Industria nxjerrëse në krizë

Shitjet neto të ndërmarrjeve që operojnë në aktivitetet e prodhimit të të mirave materiale dhe shërbimeve kapën vlerën e 1,882 miliardë lekëve gjatë vitit 2016, çka përkthehet në një rritje prej 4,4% krahasuar me 2015-ën.
Të dhënat vijnë nga Instituti i Statistikave, i cili ka publikuar rezultatet finale të anketës strukturore të ndërmarrjeve për vitin 2016.
Shifrat janë pozitive edhe përsa i përket investimeve të realizuara, të cilat u rritën me 6,3% në 221 miliardë lekë; ashtu edhe në numrin e të punësuarve, i cili u rritmë 7,9%.
Në rritjen e shitjeve neto kontributin kryesor e dha sektori i shërbimeve me në krye tregtinë, e cila zë 48,1% të shitjeve, ndjekur nga sektori i ndërtimit me 11,5% dhe sektori i industrisë përpunuese me 11,4%.
Teksa të gjitha grupet e ndërmarrjeve kanë performuar mirë në shitje dhe punësim, kjo gjë nuk mund të thuhet për industrinë nxjerrëse, e cila pësoi një rënie të shitjeve neto, duke realizuar vetëm 63 miliardë lekë nga 82 miliardë lekë një vit më parë.
Pavarësisht performancës pozitive, grupi i shërbimeve nuk ka arritur të përkthejë shitjet në më tepër investime. Në fakt, investimet për këtë grup ranë ndjeshëm, duke zënë vetëm 28,3% të vlerës totale të investuar me 62.6 miliardë lekë, nga 38,2% që zinin një vit më parë.
Sektori me vlerën më të lartë të investimeve të realizuara është sektori i energjisë elektrike dhe ujit, i cili investoi 94 miliardë lekë duke zënë 42,4 % të investime gjithsej. Peshën më të vogël të investimeve e zënë sektorët e akomodim dhe restoranteve (2,2 %) dhe industria nxjerrëse (2,8 %).
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.