Ndryshojnë rregullat për kompanitë private të ruajtjes dhe sigurisë – Ja kriteret për marrjen e licencave për subjektet

Të gjithë subjektet private që ofrojnë shërbimin e sigurisë fizike do të kalojnë në një proces të ri licencimi, sipas udhëzimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Tashmë licencat do të jenë të specializuara dhe vetëm nëse subjektet përmbushin kriteret do të mund të vazhdojnë të ofrojnë shërbimet e ndryshme.
Licencat ndahen në tre kategori, sipas funksionit dhe të drejtave që ato përfshijnë. Subjektet e interesuara nuk kanë kufizime në sa nënkategori licencash mund të përfitojnë.
- Licenca e nënkategorisë 1.3.A – “Sigurimi fizik i objekteve shtetërore e private, i personave, si dhe veprimtarive social-kulturore, sportive, fetare e politike”
- Licenca e nënkategorisë 1.3.B – “Sigurimi dhe shoqërimi i vlerave monetare e sendeve të çmuara gjatë transportit”
- Licenca e nënkategorisë 1.3.C – “Qendra të Trajnimit Privat të Punonjësve të SHPSF-së”
Tre treja këto nënkategori nuk kanë afat, por kanë disa detyrime që i ndjekin. Konkretisht, aktiviteti duhet të nisë brenda një viti nga marrja e licencës, tarifa e licencimit duhet paguar brenda tre muajsh, ndërsa në rast të largimit të drejtuesit teknik subjektet duhet të lajmërojnë Policinë e Shtetit dhe të aplikojnë për certifikimin e drejtuesit të ri, pranë QKB.
Rregullat e reja ndalojnë që titullari i SHPSF, drejtuesi teknik dhe punonjësi i shërbimit të mund të jetë njëkohësisht punonjës në Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura, SHISH apo Policisë së Burgjeve. Vetëm instruktorët e Qendrës së Trajnimit mund të jenë punonjës ose ish-punonjës të këtyre institucioneve publike.
Kriteret
Qendra e Trajnimit Privat të Punonjësve të SHPSF-së duhet të plotësojë disa kritere si:
- Të jetë e regjistruar në QKB.
- Titullari dhe drejtuesi teknik të kenë certifikatën e nënkategorisë 1.3.C dhe të kenë lidhur kontratë pune
- Të ketë ambiente zyre për të akomoduar stafin, zyra për dokumentet, ambiente për stafin mbështetës dhe magazinë për pajisjet
- Të ketë një palestër të pajisur komplet, jo më pak se 60 metra katror
- Të ketë 3 klasa me kapacitet deri në 25 kursantë
- Të ketë poligon civil qitje
- Të jetë e pajisur me nyje hidrosanitare: 1 boks për 40 djem, 1 boks për 30 vajza, 1 boks për administratën
- Të jetë e pajisur me ndihmën e shpejtë si dhe të ketë sistem mbrojtjeje kundër zjarrit, së bashku me shkallët e emergjencës
- Si edhe një sërë kriteresh të tjera ligjore
Titullari i SHPSF-së dhe Qendrës së Trajnimit nuk mund të jetë titullar i një subjekti tjetër të të njëjtës natyrë. Për certifikimin e këtyre titullarëve, mes dokumenteve të kërkuara paraqiten si kritere vetëm nevoja që ai të ketë përfunduar arsimin e mesëm, një raport mjeko-ligjor për aftësitë fizike dhe mendore, si edhe të ketë një kontratë qiraje 4-vjeçar apo pronësie, në rast të licencës 1.3.C.
Të gjitha kërkesat për certifikim do të shqyrtohen nga Komisioni i Shqyrtimit të Kërkesave për Certifikim dhe Licencim, i cili ngrihet në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, pasi licencat janë të vlefshme në rang vendi.
Ndërsa kërkesat për certifikimin e punonjësve të Shërbimit do të shqyrtohen nga një komision i ngjashëm në Drejtorinë Vendore të Policisë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.