Në Norvergji, ikën Turqia, vjen Shqipëria – Tur Operatorët: Destinacion shumë më i kërkuar

Pas Suedisë, një tjetër vend nordik duket se është dashuruar me Shqipërinë si zbulimi i ri i kësaj vere. Tur operatorët në Norvegji shprehen se kërkesat për të udhëtuar drejt këtij destinacioni i kanë detyruar të ofrojnë më shumë paketa dhe fluturime direkte.
“Shqipëria ka vërtetë një bukuri natyrale unike dhe një përzgjedhje mbresëlënëse pikash dhe atraksionesh historike. Me plazhe të shkëlqyera dhe çmime të ulëta, nuk është çudi që destinacioni është bërë shumë popullor mes norvegjezëve. Shqipëria do të bëhet gradualisht “Kroacia e re”, shprehet Erik Haug, drejtori i Apollo Norvegji.
Ky tur operator është i vetmi që ofron paketa për Shqipërinë këtë vit në resorte në Sarandë e Durrës, por duke parë suksesin, agjenci të tjera do të mbulojnë vendin tonë.
Por 2017 shënoi edhe një zhvillim të rëndësishëm për Shqipërinë mes turistëve norvegjezë. Ajo po zëvendëson Turqinë, për të cilën kërkesat e ulëta kanë sjellë anulimin e fluturimeve charter.
“Baza e agjencisë sonë janë kërkesat e klientëve dhe situata sot është kështu. Shqipëria është shumë më e kërkuar se Turqia”, thotë Haug.
Edhe CEO i agjencisë së njohur, Leif Vaase Larsen nuk e vë në dyshim që kompania po i trajton siç duhet dëshirat dhe kërkesat e klientëve.
“Në 2018 më të kërkuarat do të jenë Greqia, Kroacia, Spanja dhe Shqipëria”, thotë CEO.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.