“Neni 13”, shkatërruesi i internetit – BE do filtrojë çdo përmbajtje. Pritet të shpëtojnë “meme-t”

Deputetët e Bashkimit Europian miratuan këtë javë një ndryshim të rregullave 20-vjeçare të të drejtave të autorit. Kjo do të bëjë që Google dhe Facebook të paguajnë autorët për përdorimin e kuotimeve dhe do detyrojë kompanitë që të filtrojnë përmbajtjet e mbrojtura. Parlamenti Europian i mbështeti këto reforma me 348 vota pro dhe 274 kundër, pas një debati që vuri përballë industrinë krijuese të Europës ndaj kompanive të teknologjisë, aktivistëve të internetit dhe grupeve të konsumatorëve, që shqetësohen se këto rregulla mund të jenë shumë të kushtueshme dhe bllokojnë shumë përmbajtje.
“Të dashur kolegë, më lejoni t’iu rikujtoj se titulli i direktivës është “Të drejtat e autorit në tregun dixhital”. Është detyra jonë të ndreqim këto çështje që përbëjnë shqetësim të madh në nivel europian.”
Rregullat e reja do të bëjnë që Google dhe platformat në rrjet të nënshkruajnë marrëveshje të licencave me muzikantë, autorë dhe publikues të lajmeve, për të përdorur veprat e tyre online. Flitet se do të ketë një përjashtim për përmbajtjet e publikuara me qëllim të karikaturës, përfshirë “meme-t”. Detyrimi i Google, YouTube, Facebook, Instagram dhe platformave të tjera për të krijuar këto filtra që zbulojnë shkeljen e të drejtave të autorit, e njohur si Neni 13, ka shkaktuar protesta dhe një peticion në rrjet “www.savetheinternet.info”, ka mbledhur më shumë se 5 milionë firma kundër.
Këtë javë, mijëra njerëz protestuan në disa qytete gjermanë, kundër reformës, duke mbajtur pankarta që lexonin “Stop nenit 13”. Urrejtja është përqendruar te politikani gjerman, anëtari i Parlamentit Europian, Axel Voss, i cili propozoi reformën në Parlament.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.