Nënshkruhet memorandumi – Migrimi, ndihmë familjeve që humbin kontaktet me anëtarët e tyre
Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit për vendosjen e kontakteve mes familjarëve me të afërmit e tyre, midis Ministrit të Shtetit për Diasporën , Ministrisë së Drejtësisë dhe Kryqit të Kuq. Ky memorandum bashkëpunimi ka në themel të tij dëshirën për të ndihmuar familjet që ndahen dhe humbin kontaktet me anëtarët e tyre, si rrjedhojë e migrimit apo situatave të tjera që kërkojnë ndërhyrje humanitare.
Sipas Ministrit të Shtetit për Diasporën edhe pse ende nuk ka të dhëna të sakta për numrin e personave që kanë humbur kontaktet me familjet e tyre. Do të jetë frytdhënës bashkëpunimi mes këtyre tre institucioneve por edhe shteteve të tjera në shkëmbimin e informacionit si dhe të vendosjes së kontakteve me personat që i kanë humbur .
“Është ende herët për të thënë se ne kemi një statistikë të plotë të numrit të njerëzve të cilët vuajnë dënimet sot në të gjithë vendet e Europës. Mjafton dhe kaq për të kuptuar se ky është një memorandum i cili shpresoj dhe jam i bindur, se do të tejkalojë vështirësitë tona administrative për të cilat sigurisht fajtor jemi ne, domethënë institucionet e shtetit shqiptar. Jam i bindur që me këtë firmosje që kemi realizuar sot, do të kemi hedhur një hap të rëndësishëm.”
“Ministria e Drejtësisë shpreh vullnetin e saj institucional, si dhe mbetet e angazhuar maksimalisht në nismën e re të ndërmarrë bashkarisht me Ministrin e Shtetit për Diasporën dhe Kryqin e Kuq. Me qëllim për t’ju ardhur në ndihmë familjeve me qëllim rivendosjen e kontakteve me të afërmit e tyre dhe për atë kategori individësh të cilët mund të ndodhen në burgjet e vendeve të tjera europiane apo dhe të vendeve të Ballkanit.”
Sipas këtij memorandumi do të vendosen procedura bashkëpunimi, si dhe do të jepet informacion mbi hapat që duhen ndjekur, nëse ekziston mundësia e kushteve të transferimit të vuajtjes së dënimit të tyre në sistemin e burgjeve në Shqipëri, pranë familjarëve të tyre, në përputhje me parashikimet e marrëveshje dy ose më shumë palëshe.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.