Nga Mali i Zi janë të bindur – Kosova do ta ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit

Përfaqësuesi u partisë qeverisëse malazeze DPS, Nikola Gegaj është shprehur në të përditshmen Pobjeda se pret që parlamenti i ri në Kosovë të ketë një shumicë të mjaftueshme votash për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit.
Duke përmendur se zgjedhjet u fituan nga koalicioni i Ramush Haradinajt, i cili kishte dalë kundër marrëveshjes, Gegaj u shpreh i bindur se përgjegjësitë qeverisëse do t’i ndryshojnë sjellje.
“Në mendimin tim, kjo është një zënkë e brendshme politike në Kosovë. Gjithsesi, besoj se i duhet dhënë fund kësaj çështjeje njëherë e mirë. Gjithashtu mendoj se sjellja ndaj një çështjeje, përfshirë ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, është ndryshe kur je në opozitë dhe ndryshe kur vjen në pushtet”.
Gegaj shtoi se kjo nuk do të sjellë një përkeqësim të marrëdhënieve mes dy shteteve.
“Nuk është problemi i Malit të Zi. Nuk e shoh si pengesë, pasi ne e kemi përfunduar si proces. Kufijtë e vendosur në ish-Jugosllavi janë pranuar. Komisioni ndërkombëtar e konfirmoi kufirin, ne firmosën një marrëveshje me Kosovën në Vjenë dhe parlamenti ynë e ratifikoi”, vijoi ai.
Zyrtari i DPS thotë se Mali i Zi nuk e ka problem të presë momentin e duhur. Ai kujtoi se si SHBA, ashtu edhe përfaqësuesja e lartë e politikave të jashtme të BE, Federica Mogherini kanë ftuar së fundmi partitë në Kosovë të miratojnë. Një shtyrje e mëtejshme do të cënonte besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.