Nga thertoret, deri te pikat e grumbullimit të qumështit – Çfarë parashikon skema kombëtare 2018 për secilin sektor

Në takimin me operatorët e mishit dhe qumështit, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka prezantuar edhe masat mbështetëse të skemës kombëtare të 2018-ës, të cilën ai e ka quajtur ‘ofertë për të gjithë ata që duan të rrisin standardet.’
Peleshi është ndalur konkretisht te secili sektor ku janë parashikuar grante dhe financime për subjektet nga IPARDI dhe skema kombëtare.
Sipas tij, do të bëhet rritja e thertoreve të reja vetëm në dy qarqe: Dibër dhe Kukës, ku janë parashikuar 200 milionë lekë. Ndërkohë që skema parashikon edhe rikonstruksionin e thertoreve ekzistuese, me një financim prej 100 milionë lekë të vjetra.
Po ashtu, sipas skemës një financim prej 30 milionë lekë të vjetra do të bëhet edhe për pikat e qumështit. Në këtë kuadër, Peleshi fton të gjitha baxhot që operojnë jashtë standardeve që të kthehen në pika grumbullimi të qumështit.
“100 lekë për litër qumësht nëse qumështi është i pastër. Do të pajisim fermerët me enë, kova nga Bashkimi Europian për të mbajtur ushqim, ku është parashikuar 27 mijë lekë për kovë.”
Më tej, Peleshi ka thënë se nuk do lejohet më tregtimi nga pikat e grumbullimit të qumështit përmes cisternave plastike.
Sa i takon baxhove, ministri tha se do të ketë një mbështetje deri në 15 për qind të vlerës së investimit dhe deri në 200 milionë lekë të vjetra si tavan financiar.
Ndërsa për infrastrukturën tregjeve të kafshëve, sipas Peleshit do të ofrohen grante deri në 40 milionë lekë të vjetra, duke njoftuar mbylljen e të gjitha tregjeve informale.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.