Ngadalësohet ekonomia kineze – Norma më e ulët që prej 2009-ës, ndikon lufta tregtare dhe borxhi
Rritja ekonomike në Kinë është ngadalësuar në nivelin më të ulët që prej krizës financiare botërore gjatë tremujorit të tretë, prej trajtimit të rreziqeve të lidhura me borxhin dhe luftës tregtare me SHBA. Autoritetet kineze po përpiqen që të drejtojnë ekonominë përmes shumë sfidave, ndërkohë që lufta tregtare ka shkaktuar shitje nën panik të aksioneve kineze dhe ka zhvlerësuar ndjeshëm juanin kundër dollarit.
Ekonomia u rrit me 6.5% në tremujorin e tretë me bazë vjetore, poshtë normës prej 6.7% që u regjistrua në tremujorin e dytë. Rritja e Produktit të Brendshëm Bruto ishte më e dobëta me bazë vjetore për tremujor, që prej fillimit të 2009-ës. Në ditën e fundit tregtare për javën, aksionet kineze pësuan një tjetër rënie të madhe.
Politikëbërësit u përpoqën të qetësojnë tregjet dhe Guvernatori i Bankës Qendrore Yi Gang, tha se vlerat në tregun e aksioneve nuk janë në linjë me themelet ekonomikë. Guvernatori premtoi masa për të ndihmuar problemet e financimit të firmave dhe inkurajoi bankat tregtare që të rrisin huadhënien ndaj firmave private.
Indeksi i Shangait, SSSEC, që ra me më shumë se 1% në ditën e fundit tregtare, u rimëkëmb pas komenteve të guvernatorit. Ekonomia pësoi ngadalësim nga prodhimi i dobët i fabrikave gjatë tremujorit të tretë, ndërkohë që prodhuesit e makinave kanë ulur aktivitetin me më shumë se 10%, prej rënies së shitjeve. Krahasuar me tremujorin e tretë, rritja ekonomike u ngadalësua në 1.6%, nga 1.7% që ishte një periudhë më parë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.