Ngadalësohet punësimi në SHBA – Rezultati më i dobët që prej vitit 2009, ka ndikuar greva e General Motors
Rritja e punësimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u ngadalësua më shumë se pritshmëritë gjatë muajit Tetor, thonë të dhënat më të fundit të Departamentit të Punës në vend. Ngadalësimi vjen kryesisht si pasojë e grevës së General Motors.
Të dhënat flasin edhe për një rishikim pozitiv të shifrave të dy muajve paraardhës, gusht dhe shtator. Këto të dhëna vijnë në të njëjtën javë që të dhëna të tjera flisnin për një ngadalësim të rritjes ekonomike në tremujorin e tretë të vitit, si pasojë e tensioneve tregtare, por edhe në të njëjtën javë me vendimin e Rezervës Federale për të vijuar me uljen e tretë të normave të interesit gjatë këtij viti.
Kështu, numri i vendeve të reja të punës në sektorin jo-bujqësor fiksohet në 128 mijë të tilla gjatë Tetorit, tregojnë të dhënat më të fundit, duke fshirë kështu 36 mijë vende pune, që është rënia më e madhe që prej Tetorit të vitit 2009.
Greva e punonjësve të General Motors ndikon në këtë shifër pasi punonjësit të cilët nuk marrin pagë gjatë periudhës së anketimit klasifikohen si të papunë. Greva e rreth 46 mijë punonjësve të General Motors në Michigan dhe Kentucky përfundoi të Premten e kaluar.
Por, edhe po ta zhveshim nga efekti i grevës këtë shifër, të dhënat tregojnë se rritja e punësimit është ngadalësuar këtë vit, me mesatarisht 167 mijë vende të reja pune në muaj, nga 223 mijë që ishte kjo shifër vitin e kaluar. Sa i përket pagave mesatare në orë, ato regjistrohen në rritje me 0.2% gjatë Tetorit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.