“Ngrin” papunësia – Ngelet 14.2%, por ulet te më të rinjtë

Shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare qëndroi në nivelin 14.2% edhe për tremujorin e parë të këtij viti. Instituti i Statistikave raporton se papunësia është në të njëjtin nivel me tremujorin e fundit 2016, por më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas statistikave zyrtare, shkalla e papunësisë në ekonomi ngelet në nivelet më të ulëta të katër viteve të fundit, por pa përmirësime që nga fillimi i vitit.
Për popullsinë në moshë pune, në intervalin 15-64 vjeç, papunësia rezulton më e lartë, në 14.6%, me një rritje të lehtë prej 0.1% që nga fillimi i vitit. Sipas gjinive, papunësia për tremujorin e parë është rritur mes meshkujve, ndërsa ka rënë më tej mes femrave, ku ka arritur nivelin 12.2%, më i ulëti në të paktën katër vitet e fundit.
Sidoqoftë, duke i kryqëzuar statistikat, kjo nuk duket të ketë ardhur falë rritjes së punësimit të femrave, tregues që ka ngelur pothuajse i njëjtë krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Ajo që vërehet është një rënie e mëtejshme e pjesëmarrjes së femrave në forcën e punës, çka mund të ketë ardhur nga rënia e numrit të femrave punëkërkuese aktive.
Zhvillim pozitiv në tremujorin e parë është një rënie e mëtejshme e papunësisë mes të rinjve. Ky tregues ka rënë në 26.6%, nga 28.1% që ishte në tremujorin e mëparshëm.
Megjithëse në rënie gjatë viteve të fundit, papunësia e të rinjve ngelet pothuajse dy herë më e lartë në raport me mesataren e ekonomisë. Edhe shkalla e punësimit në ekonomi për tremujorin e parë të këtij viti rezultoi pothuajse e pandryshuar krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në nivelin 56.3%.
Shkalla e punësimit mat raportin mes numrit të të punësuarve dhe popullsisë në moshë pune. Sipas Instat, në tremujorin e parë të këtij viti punësimi u përqendrua edhe më shumë në sektorin e shërbimeve, ndërsa rënie pësoi pesha e punësimit në bujqësi dhe industri.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.