Rriten investimet e huaja – Dërgesat e emigrantëve, në vendnumëro

Investimet e huaja direkte e kanë nisur me rritje edhe vitin 2017. Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit investimet e huaja kishin vlerën e 174 milionë eurove.
Kjo shifër është 17.5% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje ndjek ecurinë pozitive të vitit 2016, kur investimet e huaja prekën vlerën e 959 milionë eurove, duke thyer rekordin e vitit 2013.
Vlerat e larta të investimeve të huaja kanë qenë ndër kontribuuesit kryesorë të rritjes ekonomike gjatë viteve të fundit dhe një nga shtysat kryesore për rimëkëmbjen graduale të rritjes ekonomike.
Besohet se volumet e larta të investimeve të huaja i dedikohen kryesisht punimeve të gazsjellësit TAP, ndërsa vitin e kaluar një ndikim shtesë mund të kenë patur edhe shitjet e kompanive të mëdha koncesionare, Bankers Petroleum dhe Tirana International Airport.
Një tjetër burim i rëndësishëm i të ardhurave për ekonominë shqiptare, dërgesat e emigrantëve, pësuan një frenim në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, remitancat kishin vlerën e 136 milionë eurove, vlerë e njëjtë me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Në dy vitet e fundit, remitancat kanë regjistruar një përtëritje të lehtë, pas një rënieje graduale gjatë viteve të krizës. Për vitin e kaluar, ato arritën në 615 milionë euro, rreth 2.8% më shumë krahasuar me vitin 2015.
Megjithë këto përmirësime, shifrat janë shumë larg pikut prej 950 milionë eurosh në vit që regjistrohej një dekadë më parë. Rritja e viteve të fundit mund të lidhet kryesisht me kthimin përfundimtar të shumë shqiptarëve nga emigrimi, kthim i shoqëruar edhe me riatdhesimin e kursimeve të tyre jashtë vendit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.