Nisma për hartimin e planeve shkollore – Nikolla në Laç: “Më të standartizuara dhe transparente”

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka ndërmarrë këtë vit një nismën për hartimin e planeve vjetore në shkolla duke përfshirë në të edhe prindërit.
Në kuadër të kësaj nisme, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla vizitoi sot shkollën e mesme “Shtjefën Gjeçovi” në Laç për të ndjekur më afër realizimin e kësaj nisme.
Nikolla evidentoi rëndësinë e këtij procesi duke theksuar se tashmë planet shkollore do të jenë transparente dhe gjithëpërfshirëse, ku prindërit dhe mësuesit do të bëhen bashkë për realizimin e tij.
“Ky është një angazhim real për përmirësimin e veprimtarisë së shkollave, sepse i garanton çdo prindi të jetë në dijeni se çfarë po ndodh me procesin e dijes në çdo klasë të këtij gjimnazi, sa aktivitete janë programuar në kuadër të këtij plani, si do të zbatohen këto aktivitete dhe sa i shkojnë përshtat talentit por edhe cilësive të tjera të fëmijët tuaj këto aktivitete dhe ky plan,”- tha Nikolla.
Po ashtu, sipas saj, mësuesit do të kenë mbështetjen e qeverisë, e cila do të jetë edhe “kryefjala” e punës në këto 100 ditë të paraqeverisjes.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.