Niveli i çmimeve në Britani – Rritet në 2.3%, kalon objektivin e Bankës së Anglisë

Niveli i çmimeve në Britani është rritur sipër pritshmërive të ekonomistëve për muajin Shkurt, madje duke thyer edhe objektivin e Bankës së Anglisë për të parën herë në më shumë se 3 vite.
Inflacioni u rrit me 2.3% në muajin Shkurt me bazë vjetore, në nivelin më të lartë që prej Shtatorit 2013 dhe sipër parashikimeve për një rritje me 2.1%.
Inflacioni bazë që heq komponentët e luhatur u rrit në 2%, norma më e shpejtë që prej mesit të 2014-ës, tregon Zyra Kombëtare e Statistikave.
Banka e Anglisë ka deklaruar se do të tolerojë që niveli i çmimeve të kalojë objektivin prej 2% për shkak se ofron mbështetje ndaj ekonomisë.
Të dhënat e Zyrës së Statistikave tregojnë se çmimet e ushqimit dhe të energjisë ishin nxitësit kryesor për muajin Shkurt.
Analistët thonë se ekonomitë familjare po bëhen gjithnjë e më të shqetësuara për rritjen e kostos së jetesës. Banka e Anglisë pret që niveli i çmimeve të konsumit të arrijë 3% deri në fund të vitit.
Paundi reagoi pas publikimit duke u rritur me rreth 1% kundër valutës amerikane, në 1.2455.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.