Njohja e patentave me Greqinë, ja kur pritet të hyjë në fuqi marrëveshja
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit marrëveshjen mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit me Greqinë. Marrëveshja ishte nënshkruar më herët në Maj të këtij viti mes ministrave të jashtëm përkatës të dy vendeve, Ditmir Bushati dhe Nikolaos Kotzias.
Ndërkohë tashmë pas aprovimit final nga qeveria, marrëveshja pritet të hyjë zyrtarisht në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, me shumë gjasa brenda javës së ardhshme.
Falë kësaj marrëveshjeje, qytetarët e pajisur me leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të kryejnë procedurat për marrjen e lejes së drejtimit në Greqi, e cila mund të kushtojë nga 700 deri në 1 mijë euro.
Gjithashtu, qytetarët shqiptarë të pajisur me leje qëndrimi mund të punësohen me patentën e tyre shqiptare si drejtues mjeti në Greqi dhe anasjelltas.
Një tjetër marrëveshje, e cila ka rrjedhur nga bisedimet dypalëshe me shtetin fqinj, ka qenë edhe ajo për heqjen e vulës apostile, e cila krijonte një faturë financiare për qytetarët shqiptarë prej 5 milionë eurosh.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.