Kështjella Riverrun e “Game of Thrones” del në shitje – Kushton më pak se një apartament në Londër

Seriali televiziv “Game of Thrones” e ka bërë të njohur si kështjellën Riverrun të shtëpisë Tully, por kështjella e vërtetë, e quajtur Gosford, ka dalë për shitje.
Me 10 tualete dhe mbi 15 dhoma gjumi, një pjesë e kësaj kalaje të ndodhur në Irlandën e Veriut mund të blihet për vetëm 500 mijë paund, një çmim shumë më i ulët se apartamentet mesatare në Londër (574 mijë paund).
Fansat e serialit e njohin kështjellën, veçanërisht për episodin “Dasma e Kuqe”, ku një pjesë e madhe e personazheve kryesore vriten.
I vetmi cen i kësaj kështjelle është mungesa e një sistemi qendror ngrohjeje. Kompania që mbikëqyr kështjellën e ndërtuar në mesin e shekullit të 19-të, e ka ndarë atë në gjashtë apartamente të ndryshme.
Në vitin 1983, një familje nga Belfasti e ktheu kështjellën në një hotel, megjithatë ajo rezultoi shumë e kushtueshme për t’u mirëmbajtur. Ajo u kthye në një gjendje të mjerueshme si pasojë e braktisjes dhe vandalizimit, saqë pronarët e nxorën për shitje për 1 stërlinë me kushtin që të kryheshin investime.
Më pas, rinovimi që nisi në vitin 2013 e riktheu kështjellën në gjendje optimale dhe tashmë me përfundimin e serialit “Game of Thrones” vitin e ardhshëm, ajo është gati për t’u shitur.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.