Normat e interesit – Ekspertët: Pak gjasa që të rriten këtë vit
Ekspertët e tregut financiar mendojnë se normat e interesit do të qëndrojnë në nivele të ulëta edhe gjatë këtij viti.
Elvin Meka, zv/rektor i Universitetit Europian të Tiranës, thotë se inflacioni i ulët dhe ecuria e dobët e kreditimit e bëjnë të vështirë ndryshimin e kahut të politikës monetare qysh këtë vit. Sipas tij, tregu financiar është mjaft likuid, ndërkohë që kërkesa për financime paraqitet e ulët, si nga sektori privat, ashtu edhe nga qeveria. Kjo gjendje e tregut po i mban në nivele të ulëta normat e interesit.
Zoti Meka mendon se rritja ekonomike në mungesë të rritjes së ndërmjetësimit financiar tregon se ekonomia nuk po shfrytëzon siç duhet të gjitha potencialet e rritjes. Sipas tij, ekonomia duhet të rritet minimalisht me 6% në mënyrë që kjo të përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetarët. Që kjo të arrihet, do të jetë e domosdoshme një mbështetje më e madhe në burimet e huadhënies së sistemit financiar.
Që nga tremujori i fundit i vitit të kaluar, normat e interesit kanë pësuar një rënie të mëtejshme, sidomos në titujt e borxhit të qeverisë shqiptare. Interesat e bonove dhe obligacioneve kanë zbritur edhe njëherë në vlerat minimale historike. Rënia e interesave në këto nivele lidhet së pari me uljen e huamarrjes së brendshme nga qeveria. Vitin e kaluar, i gjithë deficiti buxhetor u financua në tregun e jashtëm, kryesisht përmes eurobondit të emetuar në muajin tetor.
Këto para u përdorën pjesërisht edhe për të rifinancuar borxhin e brendshëm, çka çliroi më shumë likuiditete të lira për investitorët dhe sidomos për bankat. Fakti që kredia për sektorin privat është ende e ngadaltë kontribuon gjithashtu në këtë drejtim. Në mungesë të alternativave të tjera, fondet e lira po tentohen të investohen sërish në bono dhe obligacione, duke ndikuar kështu në uljen e normave të interesit.
Gjendja likuide e tregut po ndihmon në ruajtjen e çmimit të ulët të parasë, në përputhje me sinjalet e përcjella nga politika monetare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.