Nuk paguajnë taksat – Drejtoria e Hetimit Tatimor dërgon në Prokurori 54 raste
Janë jo të paktë ato që mashtrojnë apo fshehin të ardhurat duke mos paguar taksat. Drejtoria e Hetimit Tatimor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në kuadër të luftës kundër informalitetit, krahas kontrolleve të aktiviteteve ekonomike në të gjithë territorin është fokusuar në parandalimin, zbulimin, dhe goditjen e veprave penale në fushën e tatim-taksave.
Në bashkëpunim me Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore, gjatë muajve Tetor–Dhjetor 2017, janë referuar pranë këtyre organeve 54 subjekte tregtare, për disa vepra penale. Këto vepra penale kanë për autorë 72 persona që po hetohen në gjendje të lirë. Dëmi financiar i shkaktuar si pasojë e këtyre veprave penale përllogaritet në vlerën e mbi 4 miliardë lekëve. Sipas njoftimit zyrtar të Tatimeve, materialet e referuara në prokurori lidhen me vepra penale që përfshijnë:
–Krijimin e skemave të mashtrimit me TVSH-në, janë referuar 4 raste me 21 autorë, me një vlerë dëmi prej 304 milion lekë.
–Fshehje të ardhurash, janë referuar gjithsej 13 raste me 14 autorë, me një vlerë fshehjeje prej 799 milion lekë.
–Mospagim taksash dhe tatimesh, janë referuar gjithsej 21 raste me një vlerë mospagimi prej 2,9 miliardë lekë.
Po sipas këtij njoftimi, janë referuar edhe 16 raste për shkelje të tjera të parashikuara në Kodin Penal me 16 autorë me një vlerë dëmi prej 800 mijë lekë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.