OBSH etiketon Covid-19: “Emergjenca më e keqe shëndetësore në botë deri më tani”
Pandemia e koronavirusit që ka infektuar mbi 16 milionë njerëz përbën një nga emergjencat shëndetësore më të këqija që ka hasur Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas drejtorit të përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus. Ai tha në një njoftim për mediat në Gjenevë se vetëm me ndjekjen strikte të masave të parandalimit, si veshja e maskave dhe shmangja e turmave, bota mund ta mposhtë virusin.
“Aty ku janë ndjekur këto masa, rastet e infeksionit kanë rënë. Aty ku ska patur masa, rastet janë rritur”,- tha ai duke mirëpritur kundërpërgjigjen e Kanadasë, Kinës, Gjermanisë dhe Koresë së Jugut. Rikthimi i rasteve me koronavirus në shumë rajone, përfshirë në ato vende ku mendohej se ishte mposhtur sëmundja, po alarmon të gjithë botën, ndërkohë që vdekjet po kalojnë 650,000. Kreu i programit të emergjencave tek Organizata, Mike Ryan, tha se është shumë më e rëndësishme që e gjitha bota të ruajë masat e distancimit social, se sa të përpiqet të përcaktojë valën e dytë të koronavirusit. “Ajo që është e dukshme është se masat kundër virusit, ulin numrin e të infektuarve”,- tha ai, por duke pranuar se është thuajse e pamundur që vendet të mbyllin kufijtë në të ardhmen e afërt.
Tedros theksoi se prioritet qëndron tek shpëtimi i jetës së njerëzve. Ai tha se duhet ndaluar infeksioni dhe në të njëjtën kohë të identifikohen grupet më të cënuara, për të shpëtuar jetë dhe mbajtur normën e vdekjeve në minimum, diçka që ka ndodhur në vende si Japonia dhe Australia.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.