OECD rishikon projeksionet – Ul parashikimin për SHBA prej planit tatimor, rrit Eurozonën
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik ka ulur projeksionet e rritjes ekonomike për Shtetet e Bashkuara këtë vit edhe tjetrin, duke thënë se masat stimuluese nga administrata e Donald Trump do të zbatohen me shumë gjasa më vonë sa projektonte më parë.
Organizata me seli në Paris pret që rritja ekonomike e Shteteve të Bashkuara të jetë 2.1% këtë vit, në rënie nga 2.4% që projektoi në muajin Mars.
OECD uli gjithashtu projeksionet për 2018-ën në 2.4% nga 2.8%. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik rriti projeksionet për Eurozonën për këtë vit edhe tjetrin, dhe rivlerësoi në rritje ekonomitë e Japonisë dhe të Kinës.
Organizata pret që rritja ekonomike globale për 2017-ën të rezultojë në 3.5%, kundrejt 3.3% që projektoi në muajin Mars. Megjithatë, Organizata nënvizoi edhe rreziqe. Tregjet financiarë presin një performancë ekonomike akoma më të mirë, duke shtuar rrezikun e një rënie në çmimin e aktiveve.
Grupi ka parë gjithashtu sinjale nga tregu i pronave, për shkak të rritjes së çmimeve në disa vende në nivele që kanë sjellë probleme në të shkuarën.
Në lidhje me Bankën Qendrore Europiane, OECD rekomandon përfundimin e programit të blerjes së titujve të borxhit në 2018-ën dhe të rrisë normën bazë të interesit deri në fund të atij viti.
Perspektiva është bazuar në projeksionet se inflacioni bazë do ti afrohet objektivit në fund të vitit që vjen.
Banka do të zhvillojë këtë javë takimin e politikave monetare. Investitorët nuk parashikojnë ndonjë ndryshim të politikave në këtë takim, megjithatë presin një ndryshim të perspektivës mbi ekonominë nga presidenti i institucionit Mario Draghi.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.