Omicron, 40% të infeksioneve në Londër – Përhapet me normë të “jashtëzakonshme”. Por, nuk ka ende vdekje

Autoritetet në britani bënë të ditur se varianti Omicron i koronavirusit po përhapet në një normë të “jashtëzakonshme” dhe përbën tashmë 40% të të gjithë infeksioneve në Londër, e për rrjedhojë, njerëzit duhet të marrin një dozë shtesë të vaksinës. Që prej rasteve të para të variantit Omicrion të zbuluara më 27 nëntor në Britani, kryeministri Boris Johnson ka ashpërsuar masat e kufizimeve dhe i ka thënë banorëve se një valë e fortë e Omicron pritet të godasë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se nëse nuk merren masa, mund të ketë 1 milionë njerëz të infektuar me Omicron, që sipas shkencëtarëve mund të infektojë njerëzit që janë vaksinuar me 2 doza. “Ajo që dijmë për Omicron është se po përhapet me një normë të jashtëzakonshme, diçka që nuk kemi parë kurrë më përpara. Po dyfishohet çdo 2-3 ditë”- tha Sekretari i Shëndetësisë, Sajid Javid. Johnson, që po përballet me një rebelim tek partia e tij mbi masat për të frenuar përhapjen e Omicron, tha se njerëzit duhet të nxitojnë që të marrin dozat nxitëse në mënyrë që të mbrohen “liritë dhe mënyra e jetesës”. Koronavirusi i zbuluarp ër herë të parë në Kinë në fund të 2019-s, ka marrë jetën e mbi 5.3 milionë njerëzve, ka fshirë triliona dollarë nga ekonomitë dhe ka përmbysur jetesën për njerëzit në të gjithë botën.
Të dhënat e javës së kaluar treguan se efektshmëria e vaksinave kundër infeksionit simptomatik bie ndjeshëm kundër variantit Omicron me vetëm 2 doza. Megjithatë, një dozë e tretë nxitës rikthen mbrojtjen përsëri në mbi 70%. Edhe pse Javid tha se nuk ka patur ndonjë vdekje deri më tani në Angli dhe vetëm 10 njerëz janë shtruar në spital me variantin, ai shtoi se Omicron me shumë mundësi përbën 40% të infeksioneve në Londër. Ai tha se ndërkohë që simptomat janë të lehta, përhapja e shpejtë nënkupton se nëse qeveria nuk merr masa, shërbimi shëndetësor mund të arrijë në mbikapacitet.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.