Opinion/ Boris Johnson do të prezantohet shumë shpejt me realitetin e trishtë ekonomik!
Mos u mashtroni nga kthesa e lehtë pozitive e ekonomisë britanike në maj. Produkti i Brendshëm Bruto i vendit u rrit me 0.3% nga muaji i kaluar, pasi u ul me 0.4% në prill. Investitorët do të gabonin ta merrnin këtë si një shenjë që ekonomia britanike është në shëndet të mirë. Shumica e treguesve deklarojnë shenja dobësie, që gjasat janë do zgjasë. Mundësia që Britania të dalë nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje është në rritje, sepse Boris Johnson përgatitet të marrë përsipër rolin e kryeministrit. Një kryeministër i tillë do të sjellë probleme të mëdha për ekonominë.
Kthimi i ekonomisë britanikë në rritje në maj ishte kryesisht një produkt i vagarjeve të procesit Brexit. Shumë prodhues, duke përfshirë disa kompani të makinave, janë përgatitur për afatin fillestar të 29 marsit duke mbyllur prodhimin në prill. Tani që largimi i Britanisë është shtyrë të paktën deri në fund të tetorit, fabrikat kanë rifilluar punën. Prodhimtaria në tërësi u rrit 1.4% në baza mujore, duke rritur lehtshëm PBB.
Por, nëse shihni përtej kësaj lëvizje të çrregullt, pamja është shumë e zymtë. Sektori i shërbimeve, i cili zë rreth katër të pestat e ekonomisë britanike, ishte në stanacion në maj. Indeksi i Menaxherëve Blerës (PMI), një masë e gjerë e aktivitetit, tregon për një tkurrje në prodhim dhe ndërtim në qershor, ndërkohë që shërbimet ende duken statike. Ekonomistët presin që PBB-ja të jetë zvogëluar lehtë në tre muajt e parë të vitit, tkurrja e parë tremujore që nga viti 2012.
Do të ishte gabim t’ia atribuojmë këtë ngadalësim tërësisht Brexit. Ekonomia globale u ngadalësua në gjysmën e parë të këtij viti, duke bërë që Rezerva Federale të SHBA dhe Banka Qendrore Evropiane të marrin në konsideratë lehtësimin e mëtejshëm monetar. Të mërkurën, Komisioni Evropian ridefinoi parashikimet e rritjes së eurozonës për vitin 2020 në 1.4% nga 1.5% që kishte parashikuar më përpara, duke thënë se ekzistonte rreziku i rënies së mëtejshme. Britania vërtetë është një ishull, por nuk mund ta izolojë veten nga ajo që ndodh në botën përreth.
Megjithatë, Brexit është një faktor i pamohueshëm që përkeqëson ekonominë e Britanisë së Madhe. Sipas Komisionit, ekonomia britanike do të zgjerohet me 1.3% në vitin 2019, parashikim ky që supozon se nuk do të ketë përçarje në modelet e tregtimit. Një supozim i guximshëm duke patur parasysh se Johnson është pro një Brexit pa marrëveshje.
E vërteta është se ekonomia britanike po rritet më shpejt se ajo e Italisë ose Gjermanisë, por është pak nën mesataren e BE-së dhe shumë më poshtë Portugalisë, Irlandës, Spanjës dhe madje Greqisë. Investimet u rritën pak në tremujorin e parë të vitit, por mbeten shumë të dobëta krahasuar me standardet historike. Pasiguria mbi procesin e Brexit mund të mos ketë qenë aq e dëmshme sa disa ekonomistë prisnin, por gjithsesi po luan rolin e vet.
Problemi është se shqetësimet mbi marrëdhëniet e ardhshme me BE-në janë të detyruara të intensifikohen. Pozicioni i Johnson-it lidhur me Brexit dhe pretendimet e tij se BE-ja do të lejojë kushtet e favorshme tregtare të Britanisë së Madhe edhe pas një Brexit pa marrëveshje, janë një fantazi dhe të pandershme. Ai do të zhgënjehet shumë kur të përballet me realitetin.
Investitorët do të ishin të mençur të përgatiteshin për disa muaj të trazuar. Në fakt, ata tashmë janë. Sterling po bie ndjeshëm edhe pse bankat e tjera kryesore qendrore po marrin një qëndrim më të përshtatshëm ndaj politikës monetare, e cila duhet të shtyjë vlerën e monedhave të tyre. Këtë javë sterling preku nivelin më të ulët kundrejt dollarit që nga prilli 2017. Me një pound mund të blesh tani 1.11 euro, nga gati 1.18 euro në fillim të majit.
Për Bankën e Anglisë një dobësi e tillë përbën një dilemë. Ajo po përballet me presione në rritje të pagave, duke e bërë më të mundshme që inflacioni të tejkalojë objektivin e tij prej 2% në një periudhë afatmesme. Dhe një Brexit pa marrëveshje sigurisht do të përkeqësoj inflacionin.
Guvernatori Mark Carney ka pak zgjedhje, ai mundet vetëm të presë dhe të shohë në një kohë më të gjatë. E ardhmja e ekonomisë së vendit varet nga Johnson tani. Pavarësisht nga “optimizmi” i vetëdeklaruar i tij, realiteti mbetet i trishtë.
Burimi: Bloomberg
DOSTI BANUSHI – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.