Optimizëm në bisedimet për Brexit – Arritja e marrëveshjes i hap rrugën negociatave për tregtinë

Kryeministrja Theresa May mirëpriti optimizmin e ri në bisedimet për Brexit, duke i thënë parlamentit në nisje të kësaj jave se negociatat për marrëdhëniet tregtare në të ardhmen, do të reduktojnë shqetësimet mbi daljen e ashpër të Britanisë.
May shpëtoi marrëveshjen me Bashkimin Europian javën e kaluar, duke çuar bisedimet në fazën tjetër, pasi zbuti shqetësimet te aleatët e saj në Irlandën e Veriut.
Megjithatë, bisedimet mbi marrëdhënien tregtare mes Britanisë dhe Bashkimit Europian pas Brexit nuk do të jenë të lehta dhe mund të zgjerojnë konfliktet brenda kabinetit të saj.
May do të jetë në Bruksel ditën e Enjte në samitin e 14 Dhjetorit të Bashkimit Europian, ku pret pëlqimin nga 27 vendet anëtare të progresit në negociata, në mënyrë që bisedimet të kalojnë në fazën tjetër.
Megjithatë, May paralajmëroi se qeveria do të paguajë faturën e Brexit vetëm nëse arrihet një marrëveshje tregtare mes Britanisë dhe Bashkimit Europian.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.