Më pak barriera për subjektet – Hiqet detyrimi për t’u regjistruar në Drejtorinë e Metrologjisë
Prodhuesit dhe importuesit nuk do të kenë më detyrim ligjor të regjistrohen pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë.
Projektligji, ku shfuqizohet nenin 38 i ligjit për metrologjinë, ndryshim që bëhet në kuadër të reformës së derregullimit, është diskutuar dhe miratuar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese.
“Është gjykuar se ky regjistrim nuk jep ndonjë vlerë të shtuar si në kontrollin e mëpasshëm, por as edhe në procedurën e brendshme që ka drejtoria në ushtrimin e funksioneve të saj. Është një regjistrim i tepër që kushton kohë si për drejtorinë ashtu edhe për subjektet kryesisht, që duhet të regjistrohen dhe një informacion i tillë që për më tepër mund të sigurohet lehtësisht si nga dogana po edhe nga Qendra Kombëtarë e Biznesit (QKB).”
Në kuadër të reformës së derregullimit, deputeti socialist Ilir Beqaj ka ngritur shqetësimin se institucionet e varësisë kanë një listë të pafundme dokumentesh të cilat lëshojnë dhe që krijojnë burokraci. Beqaj ka propozuar rishikim edhe në këtë pjesë.
“Ku fillojnë institucionet e varësisë situata është akoma më problematike sepse unë nuk kam gjetur akoma një listë shteruese të kush janë ato që lëshohen nga institucionet e varësisë. Ndoshta këtu mendoj unë duhet t’i lëmë detyrë Ministrisë së Ekonomisë që është edhe si udhëheqëse e këtij procesi nga ana metodologjike, se politikisht pastaj nuk e di kush e drejton, që minimalisht këto të iknin fare, të shkonin në nivel ministrie.”
Sa i përket ligjit të metrologjisë, i cili është i vitit 2008, është parashikuar që brenda vitit të ketë ndryshim të plotë të legjislacionit në masën 80 për qind dhe përshtatje me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.