Paketa Fiskale 2019 – DRT: Në 14 takime rajonale janë informuar 12,843 tatimpagues
Në kuadër të fushatës për informimin e tatimpaguesve në lidhje me ndryshimet ligjore të Paketës Fiskale 2019, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zhvilluar takime në 14 Drejtoritë Rajonale Tatimore.
DRT ka njoftuar se gjatë takimeve të cilat u zhvilluan në periudhën 15 janar – 28 shkurt, morën pjesë 877 konsulentë fiskalë, ekonomistë dhe ekspertë kontabël, të cilët përfaqësojnë 12,843 tatimpagues në rang vendi. Njohja me ndryshimet me legjislacionin tatimor, zbatimi sa më korrekt dhe informimi i duhur i tatimpaguesve ishte pikërisht qëllimi i këtyre takimeve.
Gjatë këtyre takimeve ekspertët e DPT-së dhe të Drejtorive Rajonale Tatimore dhanë informacionet e nevojshme, si dhe i ftuan tatimpaguesit që të vijojnë të përdorin të gjitha kanalet e komunikimit të vëna në dispozicion nga ana e administratës tatimore, për të siguruar për zbatimin sa më të drejtë të legjislacionit.
Sipas DRT, përfaqësuesit e tatimpaguesve vlerësuan qasjen profesionale të Administratës Tatimore për informimin me korrektësi të Paketës Fiskale 2019.
Paketa Fiskale 2019, që ka hyrë në fuqi në datë 1 janar 2019 ka si objektiv përmirësimin e administrimit në mbledhjen e të ardhurave, reduktimin e kostove të përmbushjes tatimore, si nga biznesi, ashtu edhe nga administrata, por edhe nxitjen e deklarimeve dhe pagesave në kohë.
DRT kujton se kjo paketë synon lehtësimin e procedurave tatimore, stimulimin e zhvillimit të disa sektorëve, si bujqësisë, turizmit, energjetikës, inovacionit si edhe reduktimin e evazionit fiskal dhe shmangies tatimore, si dhe lehtësimin e komunikimit kryesisht në rrugë elektronike, si me institucionet e linjës, ashtu edhe me tatimpaguesit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.