Panairi në Tokio, produktet “Made in Albania” në tregjet aziatike: Mundësi bashkëpunimi

Produktet shqiptare përfaqësohen për të dytin vit radhazi në panairin më të madh aziatik për pijet dhe produktet ushqimore, “Foodex 2017”.
Panairi u zhvilluar në datat 7-10 mars në Tokio të Japonisë dhe stendat e kompanive shqiptare të pranishme në këtë event, i vlerësuar si më i madhi i këtij lloji për Azinë, janë vizituar nga qindra të pranishëm.
Produktet “Made in Albania” dhe kompanitë shqiptare që i prodhojnë ato promovohen si bashkëpunim për të dytin vit radhazi me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe kompanive vendase.
Vetë kompanitë shqiptare, pjesëmarrëse në “Foodex 2017”, e kanë konsideruar si një sukses praninë e tyre në Tokio, pasi kanë pasur mundësi të promovojnë produktet e tyre në tregjet aziatike, duke krijuar edhe mundësi për bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.
Tradita e “Foodex” ka nisur që në vitin 1976, me synimin kryesor promovimin e produkteve ushqimore dhe pijeve në tregun japonez, por edhe më gjerë. Në edicionin e këtij viti, morën pjesë mbi 3,250 ekspozues nga 78 vende të ndryshme të Botës, ndërsa numri i vizitorëve u rrit me rreth 5 mijë vizitorë krahasuar me një vit më parë.
Sektorët e industrisë për të cilët u shfaq një interes më i lartë janë: sektori i shërbimeve të produkteve ushqimore dhe pijeve; sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë; sektori prodhues etj.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.