Park fotovoltaik 2.6 Ha në Fier – Aplikimi i dytë për park voltaik nga “OSOJA-ENERGY”
Pas Shkodrës, një tjetër park që shfrytëzon energjinë diellore pritet të ndërtohet në qytetin e Fierit.
Televizioni Scan ka mësuar se Shoqëria “OSOJA- ENERGY-” ka shprehur interesin dhe ka paraqitur zyrtarisht pranë Ministrisë së Energjitikës, aplikimin për ndërtimin e një parku fotovoltaik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 2 Mega Watt, në zonën “Sheq Marinas”, Fier.
Parku do të shtrihet në një sipërfaqe totale prej rreth 2.6 hektarësh, ku kapaciteti i instaluar do të jetë 2 Mega Watt me një vlerë investimi rreth 2 milion Euro.
Në faqen e vet zyrtare, Ministria ka lënë një afat 15 ditor për shprehjen e objeksioneve ose komenteve për këtë projekt.
Nga të dhënat e publikuara në Qendrën Kombëtare të regjistrimit rezulton se Shoqëria “OSOJA – ENERGY-” është themeluar në vitin 2013 me administrator Henri Aleksin.
Ka një interes në rritje për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme dhe specifikisht nga dielli. Vetëm pak ditë më parë ishte kompania IN Food sh.p.k , e cila aplikoi për ndërtimin e një parku fotovoltaik me kapacitet 1.975 Mega Watt, në zonën “Gomsiqe”, të Qarkut Shkodër.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.