Pas Prishtinës, reformimi i transportit publik shtrihet edhe në 6 komuna
Ministria e Financave e Republikës së Kosovës ka vendosur të ndjekë hapat e komunës së Prishtinës në reformimin e transportit publik, për gjashtë komuna të tjera të vendit.
Ministri Avdullah Hoti u ka dërgua një letër gjashtë kryetarëve të Komunave Prizren, Ferizaj, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan dhe Pejë, ku u shpreh mbështetjen për projektin e rinovimit të transportit publik.
Sipas ministrisë këto komuna janë përzgjedhur në bazë së popullsisë dhe në bazë të nevojë që ato kanë për të patur mjete të reja në dispozicion.
Partner në këtë nismë do të jetë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me të cilën është biseduar për projektet e mundshme në këto komuna.
“Kërkesa që kemi pranuar nga BERZH rreth kompletimit të informatave është parashtruar një formë pyetësori që do ta mundësonte një përshkrim më të detajueshëm të situatës”, ka thënë Ministri Hoti, duke ftuar kryetarët e komunave të caktojnë takime informuese rreth projekteve.
Në fund të letrës së tij, ministri shprehet: “Duke vlerësuar nevojat e komunave dhe situatën në teren mund të lëviznim drejt definimit dhe detajizimit të projekteve në bashkëpunim të ngushtë me BERZH-in dhe ekipet e tyre që kanë ndihmuar Ministrinë e Financave dhe Komunën e Prishtinës në përgatitjen dhe tani implementimin e Projektit për Reformimin e Transportit Publik në Prishtinë”.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.