Pasuritë në ankand edhe gjatë verës – Në shitje 12 milionë lekë prona të sekuestruara në Durrës dhe 154 milionë nga Petrol Alba
Procedurat e ankandit për shitjen e pronave nuk do të ndalen as gjatë sezonit të verës, kur do të zhvillohen një sërë ankandesh me vlerë fillestare të pasurive me vlerë nga 700 mijë lekë deri në 89 milionë lekë.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara do të nxjerrë në ankand më datë 10 Korrik tre objekte në qarkun e Durrësit. Ato përfshijnë një truall prej gati 0.3 hektarësh në fshatin Rreth në Durrës me vlerë 2.63 milionë lekë, një lokal në rrugën Taulantia në Durrës me vlerë 9.15 milionë lekë, si dhe një apartament 2+1 pranë plazhit Iliria me vlerë fillestare 700 mijë lekë.
Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike do të nxjerrë në ankand në datën e mësipërme edhe ish-Qendrën Ekonomike të Drejtorisë së Shërbimit Publik në Gjirokastër, me një vlerë fillestare prej 1.5 milionë lekësh.
Ndërkohë vijojnë procedurat për shitjen e pasurive të shoqërisë në likujdim “Petro Alba” SHA, të cilat prej muajsh i drejtohen ankandit, shpesh pa gjetur ofertues. Kësaj radhe në ankand do të dalë trualli dhe objektet ndërtimore në pronësi të kësaj shoqërie në Fier, me një vlerë prej 89.1 milionë lekësh. Po ashtu në shitje do të dalë edhe TEC i Korçës për një vlerë prej 31.9 milionë lekësh, ish-depo e shpërndarjes së karburantit në Pogradec për një vlerë prej 28.2 milionë lekësh dhe nyja e ngarkimit të boteve në Pogradec për një vlerë prej 5.4 milionë lekësh.
Ndër objektet e tjera që do t’i drejtohen ankandit gjatë periudhës së verës është edhe Libraria Shkollore në Mamurras, në pronësi të shoqërisë në likujdim “Shpërndarja e Librit Shkollor” me një vlerë prej 4.1 milionë lekësh.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.