Përgjysmohet rimbursimi i barnave. Farmacitë, 320 mln lekë në dhjetor nga 574 mln që ishte në nëntor
Përgjysmohet rimbursimi i medikamenteve në mujan dhjetor, krahasuar me një muaj më parë. Në Dhjetor, farmacitë u rimbursuan me 320 milionë lekë, me një ulje të konsiderueshme, krahasuar me muajin paraardhës, kur rimbursimi ishtë në vlerën e 574 milionë lekëve.
Nëse i referohemi farmacive të Tiranës, rimbursimi ishte 87 milionë lekë, duke pësuar një ulje me 125 milionë lekë, krahasuar me nëntorin. Rrethi i Beratit ka pësuar përgjysmim të rimbursimit për dhjetorin duke shkuar në 10 milionë, nga 25 milionë që ishte më parë.
Me një ulje të ndjeshme të rimbursimit raportohen edhe farmacitë e Elbasanit, të cilat nga 50 milionë që ishin rimbursuar, në dhjetor u rimbursuan me 28 milionë lekë. Ndërkohë, për farmacitë e Durrësit, rimbursimi ishte në vlerën e 25 milionëve lekëve, nga 40 milionë që ishte në muajn paraardhës.
Ajo që bie në sy, është rimbursimi shumë i ulët në rrethin e Tropojës, ku vlera nuk ka shkuar as në një milion lekë. Ndërkohë që rrethe të tjera me rimbursim të ulët janë Kukësi me 4.1 milionë dhe Saranda me 4.6 milionë lekë.
Entela Barjamaj/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.