Përjashtim nga tenderat – APP u heq të drejtën e garës 1-3 vjet 7 operatorëve

Agjencia e Prokurimit Publik ka vendosur që deri më tani të përjashtojë nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit 7 operatorë ekonomikë.
Referuar të dhënave të bëra publike nga ky institucion bëhet fjalë për kompani që ofrojnë shërbime të ndryshme për autoritetet kontraktore në rastet kur kanë fituar të drejtat e kontratave.
Konkretisht bëhet fjalë për pesë kompani në Tiranë, një në Fier dhe një në Gjirokastër. Në listën e saj Agjencia jep detaje mbi kompanitë por jo për arsyen se pse këto të fundit janë përjashtuar me një afat nga 1 deri në tre vjet nga pjesëmarrja në procedura që financohen nga fondet publike.
Sipas ligjit “Për prokurimin publik pesë janë arsyet pse ndaj një operatori mund të merren masa të tilla.
Së pari nëse konstatohet keqinformim dhe dorëzim të dokumenteve, që përmbajnë të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi. Së dyti veprime korruptive. Së treti dënime për vepra penale, të parashikuara në ligj, së katërti mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale në kontratat publike, brenda afateve të përcaktuara në rregullat e prokurimit dhe së pesti kur ka një vendim të formës së prerë të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës për marrëveshje në oferta.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.