Përkeqësohen financat britanike – Deficiti buxhetor rritet në nivelin më të lartë në 3 vite
Britania regjistroi një deficit të madh në buxhet gjatë Tetorit, sipas të dhënave të para mbi huamarrjen që kur Ministri i Financave, Philip Hammond, premtoi përfundimin e masave shtrënguese. Deficiti në Tetor u rrit në 8.82 miliardë paund nga 7.23 mld që ishte një vit më parë, sipas zyrës kombëtare të Statistikave, duke shënuar hendekun më të madh në Tetor në 3 vite.
Ndërkohë që të ardhurat nga taksat vazhduan rritjen, shpenzimet qeveritare kontribuan në rritjen e hendekut. Zyra e Statistikave theksoi rritjen e madhe të shpenzimeve në mallra e shërbime, përfitimet sociale si dhe pagesat e interesit të borxhit qeveritar.
Megjithatë, për 7 muajt e parë të vitit financiar, deficiti qëndroi në 26.7 miliardë paund, në rënie me 30% nga viti i kaluar dhe në nivelin më të ulët në 13 vite. Në deklaratën për buxhetin, Hammond lajmëroi ulje të taksave për ekonomitë familjare, rritjen e shpenzimeve në mirëqenie për familjet e varfëra si dhe shpenzime të mëdha në shërbimet shëndetësore. Megjithatë, ai paralajmëroi se fundi i masave shtrënguese do të varet nga sigurimi i marrëveshjes për Brexit me Bashkimin Europian.
Kryeministrja Theresa May ra dakord javën e kaluar mbi një projekt marrëveshje për divorcin me Europën, por po përballet me kundërshti në kabinetin e saj, çka nënkupton se mund të dështojë kalimi në parlament. Hammond kërkon të ulë në mënyrë të qëndrueshme borxhin kombëtar rnë raport me PBB, që sipas tij është shumë i lart për të mbështetur rritjen e shpenzimeve publike.
Borxhi publik, përjashtuar bankat shtetërore dhe programin e stimujve të Bankës së Anglisë, qëndroi në 1.6 trilionë paund në Tetor, apo 75% në raport me PBB.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.