Përmirësohet kreditimi në T4 – BSH: Për bizneset vetëm ndërtimi në rënie, për individët, risk më i ulët
Në raportin e fundit të tendencave në kreditim për tremujorin e katërt të vitit të kaluar Banka e Shqipërisë vë theksin në përmirësimin e kreditimit si për sektorin privat ashtu edhe për individët.
“Kredia për sektorin privat ka përmirësuar ritmet e rritjes në tremujorin e katërt, e mbështetur nga një ecuri më e mirë e kredisë për biznese. Krahas rikthimit të sezonalitetit të fundvitit, ajo ka pasqyruar edhe efektin e një kredie specifike që u dha në muajin dhjetor. Kushtet e favorshme monetare kanë vijuar të mbështesin zgjerimin e qëndrueshëm të kredisë në lekë për sektorin privat”-nënvizon Banka e Shqipërisë. “Kredia për individë ka shënuar norma rritjeje në përmirësim.
Kjo ecuri vërehet në të dy segmentet e saj, në segmentin hipotekar dhe atë konsumator. Kredia për individë vijon të mbështetet kryesisht nga rritja e portofolit në monedhë vendase”, vijon raporti. Sa i përket normave të interesit për kredi, Banka e Shqipërisë nënvizon se ato për kredi vijojnë të jenë të favorshme dhe stimuluese, ndërkohë që është regjistruar një rritje për normat e interesit për kredi në euro për bizneset, ndërkohë që kanë mbetur të qëndrueshme për individët.
Sa i përket bizneseve, të gjithë sektorët, me përjashtim të ndërtimit, regjistrojnë rritje të huamarrjes gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Sektori i tregtisë, hoteleve dhe restoranteve ndërkohë, regjistron rritjen më të madhe ndër të gjithë sektorët e ekonomisë, me rreth 9.7 mld lekë gjatë periudhës.
Sa i përket kushteve të kreditimit për bizneset, ato janë shtrënguar gjatë tremujorit të fundit, nënvizon Banka e Shqipërisë, duke reflektuar pasigurinë e shkaktuar nga pandemia. Për individët, risku duket të jetë ulur, por që pavarësisht kësaj tendence, situata e përgjithshme ka çuar në shtrëngim të kushteve për kreditimit edhe për këtë segment.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.