Përplasja SHBA-Kinë – Takimi i mundshëm Trump-Xi Jinping rrit shpresën për ‘shkrirjen’ e luftës tregtare
Shpresat mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po rriten nga një takimi të mundshëm i cili pritet të mbahet mes presidentëve, Xi Jinping dhe Donald Trump për një lehtësim potencial të tensioneve në luftën tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë.
Shqetësimet për rritjen e tarifave që të dy palët kanë vendosur ndaj mallrave të njëri-tjetrit kanë kontribuar në një periudhë marramendëse të paqëndrueshmërisë në tregjet financiare këtë javë.
Tarifat më të larta rrisin kostot për kompanitë në të dy vendet dhe ekonomistët paralajmëruan se nëse mbeten të pandryshuara mund të ndikojnë në rritjen ekonomike.
Sipas ‘Associated Press’, nëse takimi Xi-Trump ndodh, do të zhvillohet gjatë samitit të udhëheqësve të G20 në Argjentinë në fund të nëntorit. Megjithatë, këshilltari ekonomik i Trump, Larry Kudlow, tha se përgatitjet për bisedimet janë në proces e sipër.
“Duket sikur do të ketë një takim në Buenos Aires në G-20. Ne po e shikojmë atë, kinezët po e shohin atë, po bëhen përgatitje, nuk mund të them 100 për qind me siguri, por nuk ka dyshim që të gjithë e shohin atë si mundësi”, tha Kudlow.
Ndërkohë, sekretari i thesarit, Stiven Mnuchin, përsëriti vendosmërinë e administratës së Trump për të arritur një marrëdhënie tregtare më të balancuar, ndërsa shtoi se nuk është në dijeni të një vendimi lidhur me takimin e krerëve të dy vendeve.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.