“Perspektiva Ekonomike Botërore”/ Banka Botërore ul projeksionet prej tregtisë dhe investimeve
Banka Botërore uli projeksionet ekonomike botërore për vitin 2019 dhe 2020, për shkak të rimëkëmbjes më të ngadaltë të tregtisë dhe investimeve, pavarësisht zbutës së tensioneve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Institucioni ndërkombëtar bëri të ditur se 2019-a regjistroi rritjen më të ngadaltë ekonomike që prej krizës financiare botërore një dekadë më parë dhe 2020-a, pavarësisht se do të ketë një rimëkëmbje të lehtë, do të cënohet nga pasiguritë tregtare dhe gjeopolitike.
Ne raportin e fundit “Perspektiva Ekonomike Botërore”, Banka Botërore uli me 0.2% projeksionet ekonomike për të dy vitet, në një normë prej 2.4% në vitin 2019 dhe 2.5% në 2020-ën.
“Kjo rritje modeste ekonomike shënon fundin e ngadalësimit që nisi në vitin 2018 dhe goditi rëndë aktivitetin, tregtinë dhe investimet”, deklaroi institucioni.
Projeksioni i fundit i Bankës Botërore përfshin në studim marrëveshjen tregtare të fazës së parë mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, që pezulloi tarifat e reja amerikane ndaj mallrave kinezë më 15 Dhjetor.
Kjo pritet të nxisë besimin dhe investimet, pavarësisht se efekti në tregti do të jetë relativisht i ulët. Perspektiva tregtare dhe ekonomike do të qëndrojë e cënuar nga lufta tregtare dhe tensionet gjeopolitike.
Banka Botërore nuk ka arritur të vlerësojë efektet e konfliktit SHBA-Iran, por shtoi se tensionet në Lindjen e Mesme do të rrisin pasigurinë, duke ndikuar tek perspektiva e investimeve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.