Perspektiva ekonomike botërore – FMN nuk ndryshon projeksionet, paralajmëron për tregtinë
Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi se rritja e tensioneve tregtare Kinë-SHBA, kërcënon perspektivën ekonomike globale, por shtoi se ka ende kohë që 2 ekonomitë më të mëdha në botë të kthehen pas.
Në raportin mbi perspektivën ekonomikë botërore, fondi mbajti të pandryshuar parashikimin për këtë vit edhe tjetrin, në 3.9.
“Perspektiva e përplasjes tregtare kërcënon devijimin e trendit të ekonomisë. Ka ende hapësirë për vendet që të angazhohen në bisedimet për të shmangur konfliktet”, deklaroi fondi. Organizata rriti projeksionet për ekonominë e SHBA me 0.2%, në 2.9% për 2018-ën dhe 2.7% në vitin e ardhshëm.
“Rritja globale pritet të zbutet në vitet e ardhshme. Ekonomitë e zhvilluara do të frenohen nga popullsia në plakje dhe ngadalësimi i produktivitetit”, shkruhet në raport.
Fondi deklaroi se rritja e kërkesës për eksporte ka sjellë rritjen e projeksioneve për Eurozonën dhe Britaninë në 2018-ën, ndërsa parashikimet për Japoninë, Kinën, Indinë, Rusinë dhe Meksikën nuk kanë ndryshuar.
Ulje të projeksioneve ka patur për Kanadanë dhe vendet e lindjes së mesme dhe Afrikës së Veriut. Organizata bëri të ditur se rritja e të ardhurave për frymë në ekonomitë në zhvillim do të limitohet në 5 vitet e ardhshme, kryesisht për vendet eksportuese të lëndëve të para në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Amerikën Latine dhe Karaibe.
Rreziqet ndaj ekonomisë globale janë të balancuara në tremujorët e ardhshëm. Megjithatë, tensionet tregtare mund të japin një ndikim direkt në aktivitetin ekonomik dhe tregtar, si dhe të shkaktojnë trazira në tregjet financiarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.