Poloni, Gjykata Kushtetuese sfidon BE – “Ligji kombëtar ka përparësi ndaj të drejtës europiane”

Gjykata më e Lartë në Poloni ka vendosur se disa ligje të Bashkimit Europian bien ndesh me kushtetutën e vendit, një lëvizje që ka ngritur shqetësime në lidhje me angazhimin e Polonisë kundrejt unionit. Komisioni Europian, që është krahu ekzekutiv i BE-së, dhe qeveria konservatore në Poloni janë përplasur për vite me radhë mbi sundimin e ligjit.
Brukseli i ka akuzuar Varshavën zyrtare për “minimin” e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe deri më tani nuk ka vendosur nëse do të disbursojë fondet e rimëkëmbjes pas pandemisë për Poloninë, në vlerën e rreth 30 miliardë eurove. Në përshkallëzimin më të fundit të tensioneve, gjyqtarët në Poloni vendosën për një rast të sjellë nga kryeministri i vendit, se ligji kombëtar ka përparësi ndaj rregullave europiane.
“Gjykata Kushtetuese në Poloni nuk është gjykata më e lartë në Bashkimin Europian, që vë në dyshim parimin e përparësisë së ligjit të BE mbi të drejtën kombëtare”, shprehet Alberto Alemanno, një profesor i së drejtës europiane. Në përshkallëzimin e situatës, Komisioni Europian mund të propozojë që Polonia të humbasë të drejtën e votës në BE.
“Jam thellësisht e shqetësuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Polonisë”, deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një konferencë për mediat. “Traktatet tona janë shumë të qartë. Ligjet e BE kanë përparësi mbi ligjet kombëtare, përfshirë dispozitat kushtetuese”, sqaroi von der Leyen.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.