Premtimet e Francës për deficitin – Coeure: Do të ndihmojë bisedimet mbi buxhetet në Eurozonë

Angazhimet e reja të Qeverisë Franceze për të ulur deficitin buxhetor në përputhshmëri me limitin e Bashkimit Europian është diçka pozitive jo vetëm për Francën, por edhe për bisedimet mbi buxhetet në Eurozonë, thotë anëtari i Bankës Qendrore Europiane, Benoit Coeure.
Qeveria franceze do t’i qëndrojë planit për ta ulur deficitin në 3% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto këtë vit, pavarësisht shpenzimeve të mëdha nga qeveria paraardhëse.
“Një nga sfidat që përballet qeveria është mbajtja e angazhimeve mbi buxhetin dhe në veçanti respektimi i normës së lejuar nga Bashkimi Europian. Kjo është diçka që e mirëpresim, pjesërisht prej pasojave për pjesën tjetër të Europës”, tha Benoit Coeure.
Sipas tij, angazhimi i Francës do të mbështesë diskutimet që qeveria planifikon të bëjë për masat e përbashkëta për buxhetin në Eurozonë. Ndërkohë, ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, tha se qeveria mund të ulë shpenzimet edhe taksat në të njëjtën kohë.
“Për shkak të politikave lehtësuese monetare të Bankës Qendrore Europiane, ne duhet të nisim pa u vonuar transformimin e ekonomisë”, tha ai.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.