Presidenti kthen Ligjin për sigurimin e makinave – “Sistemi Bonus-malus të bëhet i detyrueshëm, jo në dorë të kompanive, do ketë abuzime”
Presidenti ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend Ligjin e ri për sigurimin e makinave, i cili e përllogarit çmimin në bazë të historikut të aksidenteve të drejtuesve të mjeteve. Kjo, pasi, sipas Presidencës, ligji e lë në dorë të kompanive zgjedhjen nëse ta aplikojnë ose jo këtë sistem, i njohur si bonus malus, dhe nuk e bën të detyrueshëm, duke sjellë keqpërdorim në dëm të qytetarëve, por edhe çrregullim në treg.
Neni 8, argumenton Zyra e Presidentit, në tërësinë e tij, por veçanërisht pika 2 e këtij neni, përmes përdorimit të togfjalëshit “shoqëritë e sigurimit kanë të drejtë ta zbatojnë”, nuk e bën këtë parashikim të detyrueshëm e ta kthejë në një rregull të përgjithshëm sistemin bonus-malus, por përkundrazi kjo u lihet në dorë shoqërive të sigurimit që sipas dëshirës së tyre mund ta përfshijnë sistemin bonus-malus në përcaktimin e tarifave të primit të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve të transportit në tregun e brendshëm MTPL.
Në këtë mënyrë, shteti ka hequr dorë nga forca shtrënguese e tij për ta bërë të detyrueshëm sistemin e ri bonus-malus, duke ngelur kështu në të drejtën (dëshirën), dhe jo në detyrimin e shoqërive të sigurimit për aplikim.
Nëse shteti përmes procesit ligjbërës e ka trajtuar sistemin bonus-malus si një opsion që edhe mund të aplikohet, si dhe duke ju referuar traditës së formimit të ndërgjegjes juridike për zbatimin e një dispozite opsionale të ligjit, është qartësisht e kuptueshme që ky sistem i ri rrezikon të mos aplikohet në praktikë.
Kjo situatë e tillë ligjore, në praktikë do të sjellë situata paradoksale, thekson më tej presidenca, kur shoqëri të ndryshme sigurimi, mund ta aplikojnë sistemin bonus- malus, e shoqëri të tjera jo. Kjo padyshim krijon një situatë të paqartë juridike tek qytetarët në tërësi, e për përdorues të mjeteve motorrike, pasi në çdo moment kanë pikëpyetjen nëse ky sistem është i aplikueshëm ose jo, çka do të keqorientojnë edhe sjelljen e tyre në vijimësi. Por nga ana tjetër bart me vete edhe rrezikun e çrregullimit të tregut, duke qenë se disa kompani mund të vendosin ta aplikojnë, ndërsa disa të tjera jo.
Në praktikë, kjo situatë e çmimeve të diferencuara të ofruara nga kompani të ndryshme për të njëjtin individ, është e pashmangshme që të orientojë edhe kompanitë më të konsoliduara që të tërhiqen nga aplikimi i këtij sistemi, me qëllim që të mos humbasin klientelën e tyre, duke e bërë sistemin e ri, të paaplikueshëm. Por nga ana tjetër, por kjo situatë do të shkaktojë edhe një situatë konkurrence të pandershme e konfliktuale në terren midis agjentëve të secilës kompani, të cilët të prirur për mbajtjen apo zgjerimin e fashës së klientëve, gjithmonë do të tentojnë të ofrojnë kontrata të primit të sigurimit të detyrueshëm, përkundrejt çmimeve minimale, e duke lënë të paaplikueshëm sistemin bonus-malus.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.