Presidenti Macron shpjegon vendimin negativ për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut: ‘’Duhet progres real nga vendet, BE-ja të reformohet”

Presidenti Macron në fjalën e tij në kuadër të Samitit të liderave që po mbahet në Këshillin e Europës ka shpjeguar gjerë e gjatë vendimin negativ për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si dhe vizionin që BE-ja duhet të ketë në të ardhmen.
Presidenti francez ka këmbëngulur në idenë e tij se Bashkimi Europian ka nevojë të reformojë vetveten si dhe procedurat për procesin e zgjerimit, që në këtë mënyrë çdo shtet anëtar që ka dëshirë të anëtarësohet të kalojë në një proces të vërtetë dhe të besueshëm.
Më tej kreu i shtetit francez ka shpjeguar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po kalojnë disa reforma shumë të mëdha në vendet e tyre, por progresi që ata duhet të bëjnë për anëtarësimin duhet të jenë akoma edhe më të mëdha:
Një numër i madh vendesh në BE nuk ishin të vendosura për të hapur negociatat. Ka disa përpjekje dhe arritje, por nuk janë atje ku duhej të ishin. Për shembull, migrimi dhe sundimi i ligjit apo edhe raportet fqinjësore. Nuk është e nevojshme për momentin që të ketë një zgjerim në këtë moment”- shpjegoi ai.
Zyrtari i lartë i ekzekutivit francez më tej shpjegoi faktin se për qytetarët francezë është e vështirë tu shpjegosh se si një vend që konsiderohet i sigurtë ka ende një numër të madh azilkërkuesish në dyert e Europës. Këto janë probleme që shtetet duhet të punojnë tha ai.
Më tej ai ka trajtuar edhe çështjen e ndarjes së vendeve për fillimin e negociatave duke e cilësuar atë “një veprim vdekatar politik”:
“Unë thashë që ka mosmarrëveshje në lidhje me procesin e zgjerimit vetë. Duhen hapur disa diskutime pa zgjerimin, por askush nuk do ketë mundësi të bashkohet pa u reformuar vetë. Definicioni i rajonit, disa thonë ishte pothuajse një marrëveshje unanime për të pasur vendet. Kjo nuk është e vërtetë. Kishte një shumicë për Maqedoninë e Veriut , por shumica e vendeve thanë JO për Shqipërinë. Hapja e zgjerimit me Maqedoninë e Veriut duke lënë pas Shqipërinë do kishte lënë mbrapa rajonin, do kishte qenë një veprim vdekatar politik. Do kishte qenë një precedent jo vetëm për Shqipërinë, por kudo ku ka pakica shqipfolëse. Është dashur të mendohet për këtë.
Mos të gënjejmë veten, duhet progres dhe me to mund të hapim diçka. Jo me proceset e zakonshme që nuk kanë më kuptim.” – u shpreh presidenti Macron.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.