Presioni i tarifave “lëkund” Meksikën – Nisin bisedimet për të ndaluar emigrantët këtë javë
Në përpjekje për të luftuar tarifat ndëshkuese të lajmëruara nga presidenti Donald Trump, një delegacion i lartë nga Meksika pritet të nisë bisedimet me Washingtonin, ku pritet të ofrojë reduktimin e emigrantëve nga Amerika Qendrore. Trump tha se do të aplikojë tarifa në 5% ndaj të gjithë mallrave meksikanë më 10 Qershor dhe do të rrisë normën në muajt e ardhshëm deri në 25%, nëse Meksika nuk ndalon emigracionin e jashtëligjshëm, që ka arritur nivelin më të lartë në 1 dekadë këtë vit.
Titujt botëror të kapitalit ranë pas kërcënimeve të Donald Trump javën e kaluar, ndërkohë që investitorët shqetësohen se politikat e tij agresive mund të çojnë Shtetet e Bashkuara dhe ekonomi të tjera të mëdha në recesion. Delegacioni i drejtuar nga Ministri i Jashtëm Marcelo Ebrard do ta ketë të vështirë të bindë zyrtarët amerikanë se Meksika po bën mjaftueshëm për të ndaluar emigrantët.
Bisedimet mes SHBA dhe Meksikës nisin këtë javë. Trump e quajti Meksikën gjatë fundjavës si një vend abuzues ndaj Shteteve të Bashkuara dhe shtoi se do të ndërmarrë veprime dhe jo negociata. Meksika ka bërë të ditur se do të kundërpërgjigjet ndaj tarifave. Që prej muajit Janar presidenti Andres Manuel Lopez Obrador, ka shtuar arrestimet dhe dëbimet, por kjo nuk ka mjaftuar për të ndaluar familjet nga Guatemala dhe Hondurasi që të arrijnë në SHBA. Në muajin Prill numri i emigrantëve drejt SHBA shënoi 99,000 dhe pritet që kjo shifër të ketë kaluar në Maj.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.