Projeksionet për ekonominë gjermane – Ifo pret një rritje me 2.6%, paralajmëron për masat proteksioniste
Paneli i këshilltarëve ekonomik të Qeverisë Gjermane kanë rritur projeksionet për ekonominë më të madhe të Europës, por paralajmëruan se masat proteksioniste mund të cenojnë këtë performancë.
Pesë ekonomistët që këshillojnë qeverinë gjermane mbi politikat bënë të ditur se presin një rritje me 2.3% të Produktit të Brendshëm Bruto këtë vit, në rritje me 0.1% nga projeksionet e mëparshme. Instituti për hulumtime ekonomike, Ifo, dha një projeksion më optimist prej 2.6%.
“Reduktimet e taksave ndaj të ardhurave në SHBA dhe rimëkëmbja e fortë ekonomike në Eurozonë, pritet të rrisin kërkesën për mallrat dhe shërbimet gjermane”, deklaron Ifo.
Paneli i ekonomistëve bëri të ditur se tregtia do të luajë një rol më të madh për rritjen ekonomike se sa pritej më parë. Megjithatë, ekonomia më e madhe e Europës përballet me rreziqe nga jashtë, përfshirë rezultatin e zgjedhjeve në Itali, negociatat me Mbretërinë e Bashkuar dhe tarifat në importe nga Shtetet e Bashkuara.
Brenda vendit, firmat gjermane po përballen me kufizime në kapacitet dhe mungesë të fuqisë punëtore. Ifo deklaroi se debati mbi rritjen e tarifave dhe vlerësimi i euros, po dëmton humorin e kompanive.
Koalicioni i bllokut konservator të Merkel dhe Social Demokratëve po jep një efekt stimulues të përkohshëm, për shkak të dakordësisë në rritjen e shpenzimeve shtetërore. Ekonomia gjermane u rrit me 2.2% në vitin 2017, që është norma më e fortë që prej vitit 2011.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.