Projektet kundër varfërisë – Banka Botërore, mbështetje bashkisë, Veliaj: Zgjidhje afatgjatë

Banka Botërore do të mbështesë Bashkinë e Tiranës në luftën kundër varfërisë ekstreme. Kryebashkiaku, Erion Veliaj tha se në dy vitet e ardhshme prioritet i institucionit që ai drejton do të jetë rritja e mirëqenies së qytetarëve nëpërmjet skemave të gjithëpërfshirjes sociale, krijimit të mjediseve të sigurta, si dhe zgjerimit të hartës së shërbimeve sociale.
“Më vjen mirë që Tirana ka bërë progres të jashtëzakonshëm dhe mezi pres që edhe me Bankën Botërore, por edhe me të gjithë institucionet tona sociale ta çojmë në këtë gjysmë të dytë të mandatit akoma më tej të gjithë betejën tonë, jo vetëm për të zhdukur varfërinë ekstreme me mensat sociale, për të gjithë njerëzit në nevojë, me ndihmën ekonomike apo edhe me kurset tona të arsimit-profesional, por të fokusohemi më shumë në zgjidhjen afatgjatë. Sa më shumë djem e vajza të arsimuar të kemi në qytetin e Tiranës, aq më të lehtë do ta kemi për të mundur varfërinë dhe për të pasur punë më të mira dhe sigurisht një të ardhur më të ndritur për të gjithë fëmijët tanë”, tha Veliaj.
Në “Ditën ndërkombëtare kundër varfërisë”, Bashkia e Tiranës dhe Banka Botërore zhvilluan një orë leksioni të hapur me nxënës dhe mësues të shkollës 9-vjeçare “Ardian Klosi” në zonën e Bregut të Lumit, ku u diskutua mbi sfidat që ka shoqëria dhe hartimit të politikave të reja për mbështetjen e grupeve më në nevojë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.