Projektligji në Kuvend – Arsimi profesional, 5 mln euro kredi nga qeveria italiane

Qeveria parashikon të marrë një kredi të butë prej 5 milionë eurosh nga qeveria italiane në mbështetje të arsimit profesional në vend. Projektligji i hartuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dhe në tërësi, kjo nismë parashikon ratifikimin e një marrëveshje bashkëpunimi me palën italiane.
Iniciativa e qeverisë shqiptare vjen pasi Komiteti i Përbashkët i Kooperacionit Italian për Zhvillimin (AICS), më datë 28 korrik të 2016-ës, miratoi programin në mbështetje të arsimit profesional me anë të inovacionit.
Për kryerjen e procedurave të nevojshme për fillimin e kësaj nisme dhe për lëvrimin e financimit, është i nevojshëm ratifikimi i marrëveshjes së miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave në verën e vitit të kaluar.
Nga ky program priten rezultate në organizimin dhe zhvillimin në mënyrë të plotë të Shkollës Bujqësore Multifunksionale të Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) në Fier, si dhe përmirësimin dhe riorganizimin e shkollës së AFP-së në Lushnjë. Aplikimin e kurrikulave të AFP-së të orientuara nga tregu; sigurimin e koherencës me financimin e IPA II për sektorin e punësimit dhe aftësive etj.
Sipas relacionit të qeverisë, projektligji nuk shoqërohet me efekte financiare në buxhetin e shtetit, pasi kontributi financiar nga pala italiane pritet të mbulojë shpenzimet për programin, ku ministria përfituese rimburson TVSH-në pёr projektin dhe kostot lokale aty ku janë të aplikueshme.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij projektligji, thuhet se janë parashikuar në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për vitin 2017.
Më herët, pas miratimit në reformës në arsim, përfaqësues të qeverisë kanë thënë se ka pasur rreth 27 mijë aplikime nga student për formim profesional. Ky numër sipas tyre është rritur me rreth 9 herë krahasuar me qeverisjen e shkuar.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.