Tregtia me Kosovën në shifra – Shqipëria e para për eksport, e pesta për import

Të dhënat zyrtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës sa i përket tregtisë së jashtme, tregojnë se, deficiti tregtar në vend u rrit në 299.6 milionë euro gjatë shkurtit.
Eksportet pësuan një rënie me 2.6% në dy muajt e parë të vitit, ndërkohë që importet u rritën me 5.7%, në 344.8 milionë euro. Vetëm për muajin shkurt ndërkohë, eksportet ranë me 1.6%, ndërkohë që importet u rritën me 2.2%.
Të dhënat tregojnë se, Shqipëria vijon të mbetet partneri kryesor tregtar, të paktën sa i përket eksporteve. Kosova gjatë shkurtit eksportoi mallra në vlerën e 3.8 milionë eurove në Shqipëri, që përkthehet në një rritje me 16,1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e ndjekur nga Zvicra me 2.9 dhe 1.8 milionë euro respektivisht. Sa i përket importeve ndërkohë, Shqipëria është partneri i pestë tregtar.
Kjo do të thotë se, Kosova gjatë shkurtit regjistroi një deficit tregtar me Shqipërinë në rreth 6.5 milionë euro. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, deficiti fiksohej në rreth 4.5 milionë euro.
Vendi i parë importues në Kosovë është Serbia me 35 milionë euro, ndërkohë që nga Shqipëria u importuan mallra në vetëm 10 milionë euro, në rritje me 5.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.