Punësimi në Eurozonë – Rritet me 0.4% në tremujorin e parë 2017

Numri i personave të punësuar u rrit me 0.4% në Eurozonë dhe Bashkimin Europian për tremujorin e parë të 2017-ës, krahasuar me tremujorin e kaluar, sipas vlerësimeve të llogarive kombëtare, të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Bashkimit Europian.
Krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, punësimi në Eurozonë pati një rritje me 1.5%.
Sipas Eurostat, në tremujorin e parë të 2017-ës, 234.2 milionë janë punësuar në 28 vendet e Bashkimit Europian, ndër këto, 154.8 milionë për Eurozonën, duke prekur nivele rekord.
Ndër vendet anëtare, Estonia, Malta dhe Suedia patën rritjen më të madhe të punësimit, me 2.8%,1.7% dhe 1.2% në mënyrë respektive. Rënie ka patur në Letoni, me 1.9%, njekur nga Rumania me 1.2%.
Eurostat ka publikuar edhe të dhënat mbi Prodhimin Industrial për muajin Prill. Prodhimi Industrial në Eurozonë u rrit me 0.5% nga muaji i kaluar, ndërsa me bazë vjetore shënoi një rritje me 1.4%.
Në rritjen e prodhimit për muajin Prill ndikuan; prodhimi i energjisë, në rritje me 4.7%, prodhimi i mallrave të qëndrueshme të konsumit, me 0.6%, ndjekur me 0.2% rrije në mallrat jo të qëndrueshme.
Ndër vendet anëtare, Irlanda pati një rritje me 7.7%, ndërsa në Sllovaki, prodhimi industrial ra me 10.9%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.