Rezervimet online, 57% e dhomave në Jug janë të prenotuara për Gushtin – Ja sa do të kushtojë nata dhe fitimi total

Rritja e numrit të turistëve vit pas viti në Shqipëri ka shtuar edhe kërkesën për dhoma e struktura akomoduese.
Shumë prej këtyre turistëve zgjedhin të vizitojnë vendin tonë përmes paketave turistike, por një trend në rritje është edhe ai personave që zgjedhin të udhëtojnë vetë, duke u kujdesur edhe për të gjetur një akomodim të përshtatshëm.
Platformat online si Airbnb dhe Booking janë gjithmonë e më popullore mes udhëtarëve dhe pronarëve të banesave e hoteleve në vend.
Të dhënat e siguruara nga SCAN tregojnë se numri i strukturave akomoduese të listuara në internet kanë ardhur në rritje eksponenciale, duke u shumëfishuar vetëm në pak vjet.
Në Booking rezultojnë të jenë 2021 njësi akomoduese në të gjithë Shqipërinë, ndërsa në Airbnb janë 2138 njësi.
Fluksi i vizitorëve është aq i madh saqë në Booking janë të rezervuara që tani 57% e njësive të listuara për muajin Gusht në Bregdetin Shqiptar. Pra, 311 njësi nga 546 rezultojnë të zëna mbi 6 javë më herët.
Në të gjithë Shqipërinë, numri i rezervimeve shkon në 44% të dhomave të lira për fillimin e Gushtit dhe 47% për mesin e muajit.
Sado tërheqëse këto shifra të duken, janë ende larg fqinjit tonë, Malit të Zi, i cili për këto data ka të prenotuara 62% të njësive, me dyfishin e njësive të regjistruara.
Ndërkohë, sipas AirDNA.co , kompania e cila analizon të dhënat e Airbnb, muajt e verës për strukturat akomoduese shqiptare kanë një performancë shumë pozitive, ku 41% e njësive shfrytëzohen totalisht gjatë muajit Korrik dhe 48,5% gjatë muajit Gusht. Pra kjo do të thotë se nëse një dhomë është e listuar për 31 ditë gjatë këtij sezoni, ajo me shumë gjasa do të jetë në shfrytëzim për gati gjysmën e kësaj kohe, ose 14 ditë.

Edhe çmimet natyrisht kanë rritje gjatë periudhës Maj-Shtator dhe mesatarisht njësitë fitojnë për natë:
Airbnb | Booking | |
Maj | 44,15$ | 46$ |
Qershor | 63,87$ | 56$ |
Korrik | 70,42$ | 71$ |
Gusht | 72,61$ | 69$ |
Shtator | 51,13$ | 60$ |
SCAN ka bërë një llogaritje të thjeshtë dhe rezulton se vetëm për muajin Gusht, strukturat akomoduese në Booking dhe Airbnb do të fitojnë së bashku të paktën 103 mijë dollarë.
Kjo shifër tregon jo vetëm për rëndësinë që sektori i rezervimeve online ka në turizëm, ekonominë e vendit dhe atë personale, por edhe për potencialin e pashfrytëzuar nga ku fqinjët kanë arrijnë të vjelin shumëfish.
Angelo Haruni/SCAN
Turizmi shqiptar në platformat online – Çfarë kushtesh ofrojnë banesat?Nga kondicioneri tek wirelessi
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.