Reduktohet dokumentacioni në bujqësi dhe turizëm – Për grante, fermerët aplikojnë vetëm me kartë identiteti

Në një takim me fermerë, sipërmarrës bujqësorë dhe operatorë turistikë, qeveria ka prezantuar fazën e parë të procesit të thjeshtëzimit të procedurave në fushën e bujqësisë dhe turizmit.
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, është shprehur se lehtësimi vjen pikërisht në dy fusha të konsideruara prioritare për zhvillimin e vendit. Sa i takon dikasterit që ai drejton, Klosi është shprehur se janë reduktuar 24 dokumente, duke ulur me 35% barrën e dokumentacionit që ka kjo ministri për dhënie e lejeve apo licencave.
“Vijmë me një paketë të shumë analizuar përsa i përket reduktimit të një sërë dokumentesh që ka të bëjë me parimin e cilësisë së shërbimit për qytetarët, që të mos rropaten nëpër zyrat e shtetit por ta ndjejnë që shteti është atje nëpërmjet politikave të tij”, tha Klosi.
Ministri gjithashtu shtoi se në vijim synohet të kryhet online i gjithë procesi për lejet mjedisore, që nga aplikimi dhe se lejet të jenë të aksesueshme nga të gjithë.
Reduktimi i dokumentacionit është edhe më i prekshëm në Ministrinë e Bujqësisë, ku sipas ministrit Peleshi, është lehtësuar në masën 63% për grante, leje, licenca peshkimi etj.
“Nga 168 dokumenta, nga janari i këtij viti dhe në vijim do të kërkohen vetëm 40. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, nga 13 dokumente ka shkuar në zero. Në skemën e mbështetjes financiare përmes donacioneve dhe granteve kemi arritur një reduktim maksimal, pra kemi shkuar në vetëdeklarim të fermerit, i cili do të plotësojë kërkesën dhe do të paraqesë vetëm kartën e identitetit”, u shpreh Peleshi.
Sipas zëvendëskryeministres, Senida Mesi, ky është vetëm fillimi i proceseve rregullative dhe në fazat e mëtejshme do të ofrohen shërbime elektronike, eficiente dhe efektive.
“Reforma në shërbime publike tregon që kjo qeveri është e dedikuar për të pasur një tolerancë zero për korrupsionin. Kur flasim për procedura online, jo vetëm lehtësojmë barrën, eliminojmë kohën e pritjes, por edhe eliminojmë korrupsionin”, tha Mesi.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.